Irani nis fazën e katërt të operacionit kundër Izraelit: “Përgjigje vendimtare” për vrasjen e komandantëve

Para 9 muaj

Operacioni Premtimi i Vërtetë 3” përfshin qindra raketa balistike që kanë si shënjestër ndërtesa banimi dhe infrastrukturë izraelite, raportojnë mediat iraniane.

Teheran – Tensionet mes Iranit dhe Izraelit kanë hyrë në një fazë të re, pas raportimeve se Irani ka nisur fazën e katërt të operacionit të tij ushtarak kundër Izraelit, të dielën. Lajmi u raportua nga agjencia gjysmëzyrtare iraniane Mehr News, duke cituar burime nga autoritetet iraniane.

Operacioni i koduar “Premtimi i Vërtetë 3” përfshin lëshimin e qindra raketave balistike të tipeve të ndryshme, të cilat sipas burimeve iraniane, kanë pasur në shënjestër ndërtesa banimi dhe infrastrukturë të rëndësishme brenda territorit izraelit.

Sipas Mehr, sulmi është cilësuar si një “përgjigje vendimtare” ndaj një sulmi ajror të mëparshëm nga Izraeli, i cili sipas mediave shtetërore iraniane, kishte vrarë disa komandantë të lartë ushtarakë iranianë në një goditje të drejtpërdrejtë.

Autoritetet në Teheran kanë paralajmëruar se çdo “aventurë ushtarake” nga Izraeli do të përballet me “përgjigje të fortë dhe të vendosur”, duke theksuar se Irani është i përgatitur për përshkallëzim të mëtejshëm në rast të ndonjë kundërpërgjigjeje.

Deri në momentin e publikimit të këtij lajmi, nuk ka pasur ende konfirmim të plotë nga pala izraelite për numrin dhe dëmet e sulmeve, ndërsa reagimet ndërkombëtare pritet të intensifikohen në orët në vijim.

Situata mbetet e tensionuar dhe në zhvillim.