Bizneset e huaja ikin nga Serbia, 250 punëtorë në rrugë brenda një dite

Para 8 muaj

Një tjetër kompani e huaj i ka kthyer shpinën Serbisë. Fabrika daneze “Kentaur”, që prodhonte veshje pune në Vranjë, është mbyllur papritur, duke lënë mbi 250 punëtorë pa punë.

Punëtorët u ndaluan në hyrje të fabrikës dhe mësuan se kompania ishte në proces likuidimi, vetëm disa muaj pasi kishin përfunduar obligimet nga subvencionet shtetërore, me vlerë rreth 1 milion euro.

“Kompania u mbyll pa paralajmërim. Vetëm na thanë se gjithçka kishte përfunduar,” tha një prej punëtorëve për Radion Evropa e Lirë.

Sipas raportimeve, Kentaur u largua për shkak të humbjeve financiare dhe rritjes së pagës minimale në Serbi, e cila tash arrin 500 euro.

Ekspertët paralajmërojnë se ky është vetëm fillimi i një vale të re largimesh të kompanive të huaja, që pasi marrin subvencionet, mbyllin fabrikat dhe ikin.