Albulena Haxhiu vendos kufi: “Nëse nuk marr 61 vota në raundin e parë, nuk rikandidoj”

Para 8 muaj

Kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje për kryetare të Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se nuk do të pranojë të rikandidohet nëse nuk siguron 61 vota në raundin e parë të votimit të fshehtë.

“Emri im shkon vetëm një herë. Nëse nuk i marr 61 vota, tërhiqem,” tha ajo pas përfundimit të seancës së fundit të Kuvendit.

Haxhiu e mbrojti procesin e votimit të fshehtë duke u bazuar në një aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese dhe theksoi se Vetëvendosje ka ofruar një kompromis për të zhbllokuar krizën: rrëzimin e komisionit për votimin e fshehtë dhe arritjen e një marrëveshjeje për lidershipin e Kuvendit.

Ajo akuzoi opozitën për mungesë vullneti dhe vendosje barrikadash politike, ndërkohë që vendi përballet me një ngërç institucional të pazgjidhur prej 42 tentativash të pasuksesshme për konstituimin e Kuvendit.

Afati kushtetues për këtë proces përfundon më 26 korrik.