Ka vdekur fotoreporteri i “Kohës Ditore”, Alban Bujari.
Bujari ka vdekur të enjten në mbrëmje, tha familja në një kumtesë.I ndjeri ishte një ndër fotoreporterët më të shquar gjatë luftës së fundit në Kosovë dhe ndër të parët që ka dokumentuar ngjarjet e saj gjatë viteve 1998-99.
Puna e Bujarit u botua në mediat më prestigjoze ndërkombëtare, si “Time”, “Sunday Time”, “The Independent”, “The Guardian”, “El Pais”, “Fokus”, “Suddeutche”, “Zeitung”, “Kyoto News”, e plot të tjera.
Dy vite më pari, ai hapi ekspozitën e titulluar “Erë Gjaku”, ku solli dëshmi të Masakrës së Rogovës së Hasit në Gjakovë, aty ku forcat serbe vranë e më pas masakruan 21 luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe disa civilë të këtij fshati.
Bujari, në të tjera ekspozita paraqiti shumë fotografi nga masakrat në burgun e Dubravës, Reçak, Prekaz, Krushë e vise tjera, foto këto që tregojnë krimet e masakrat të cilët serbët i kryen ndaj shqiptarëve. Këtë ekspozitë ai e pati quajtur “Rrugëtimi drejt lirisë”.
Familja njoftoi se i ndjeri varroset sot në varrezat e Dragodanit në Prishtinë.
