Vdes Bujar Bukoshi-Kryeministri në ekzil që udhëhoqi Kosovën në vitet e errësirës

Para 1 vit

Dr. Bujar Bukoshi, figurë kyçe e rezistencës paqësore të Kosovës dhe ish-kryeministër në ekzil, ka ndërruar jetë në moshën 78-vjeçare, pas një sëmundjeje të rëndë. Lajmi është konfirmuar nga familjarët për Klankosova.tv.

Bukoshi la gjurmë të thella si politikan, mjek dhe aktivist për të drejtat e njeriut. U angazhua që në vitet ’80 për lirinë dhe dinjitetin e shqiptarëve të Kosovës, duke qenë bashkëthemelues i LDK-së dhe i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut. Në vitin 1991, pas shpalljes së Republikës së Kosovës nga Parlamenti i atëhershëm, ai u emërua kryeministër në ekzil dhe organizoi rezistencën jashtë vendit përmes diplomacisë dhe mbështetjes nga diaspora.

Në pasluftë, kontribuoi në rindërtimin e vendit përmes Unionit të Fondeve për Rindërtim dhe shërbeu si deputet, ministër dhe zëvendëskryeministër në Qeverinë e Kosovës.

Ai la pas bashkëshorten, Dr. Zana Bukoshi, tri vajza dhe dy nipër. Vdekja e tij shënon humbjen e një prej figurave më të angazhuara për shtetformimin dhe ruajtjen e trashëgimisë politike paqësore të Kosovës.