Një ngjarje tragjike ka ndodhur pranë kryeqytetit francez, ku një fëmijë ka humbur jetën gjatë një ekskursioni grupor në një park ujor rekreativ me tobogane. Lajmi është konfirmuar nga autoritetet lokale dhe burime mediatike franceze, ndërsa rrethanat mbeten ende të paqarta.
Ngjarja ndodhi në një qendër rekreative të hapur për publikun, shumë pranë Parisit. Sipas raportimit të klankosova.tv, ende nuk është bërë e ditur nëse fëmija ishte i shoqëruar nga prindërit apo kujdestarë ligjorë në momentin e incidentit.
Qyteti i Parisit ka reaguar duke e cilësuar ngjarjen si një “aksident tragjik”, ndërsa policia franceze ka nisur një hetim penal për të zbardhur shkaqet dhe përgjegjësitë e mundshme. Njëkohësisht, është hapur edhe një hetim administrativ nga autoritetet pariziene për të analizuar menaxhimin dhe kushtet e sigurisë në parkun përkatës.
Media franceze RTL raporton se hetimet janë në fazë të hershme dhe autoritetet po punojnë për të siguruar dëshmi, përfshirë edhe pamje të kamerave të sigurisë dhe dëshmi nga stafi apo dëshmitarët.
Për momentin, as identiteti i viktimës, as mosha e saktë nuk janë bërë publike.
Ngjarja ka shkaktuar tronditje të madhe në komunitet dhe ka rihapur debatin për sigurinë në parqet rekreative dhe ekskursionet për fëmijë, veçanërisht gjatë sezonit të verës.
