Qëndrimi i dy astronautëve të NASA-s në hapësirë do zgjaste vetëm një javë, megjithatë, kapsula që i mbante pati probleme pas mbërritjes në Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor, duke i lënë “të burgosur” mes yjeve për 9 muaj.
Astronautët Butch Wilmore dhe Suni Williams po përgatiten të kthehen në Tokë pas nëntë muajsh në Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor, në pritje të mbërritjes së zëvendësuesve të tyre javën e ardhshme. Nisja e tyre është planifikuar për në fund të marsit.
Dy astronautët do të udhëtojnë në një kapsulë të SpaceX së bashku me dy kolegët e tyre që udhëtuan drejt ISS në shtator. Duke folur nga stacioni hapësinor të martën, Williams tha se pjesa më e vështirë e misionit të zgjatur papritmas ishte pritja për të takuar familjet e tyre pas kthimit në Tokë.
