Miss World 2025 mblodhi këtë vit një numër rekord pjesëmarrësesh, me 108 vajza nga e gjithë bota që u ngjitën në skenën prestigjioze të spektaklit ndërkombëtar të bukurisë, për të garuar jo vetëm në kategoritë klasike, por edhe në sfida me karakter humanitar dhe social.
Këtë edicion, kurora e shumëpritur iu dha Opal Suchata Chuangsri, përfaqësuese e Tajlandës, e cila u shpall zyrtarisht Miss World 2025. Ajo arriti të rrëmbejë zemrat e jurisë dhe publikut me elegancën, talentin dhe përkushtimin e saj ndaj kauzave që ndihmojnë komunitetin.
Rruga drejt fitores nuk ishte aspak e lehtë. Përveç parakalimeve tradicionale në veshje elegante dhe kostume kombëtare, konkurrentet u përballën me një sërë sfidash moderne, që testuan aftësitë e tyre në talent, sport, multimedia, modelim, si edhe në sfidën ikonike të konkursit – “Beauty With a Purpose” (Bukuria me qëllim), ku secila prej tyre paraqiti projekte me ndikim të drejtpërdrejtë në komunitetet që përfaqësonin.
Ky edicion i Miss World dëshmoi edhe një herë se bukuria e vërtetë nuk qëndron vetëm në pamjen e jashtme, por në aftësinë për të frymëzuar, për të ndihmuar dhe për të sjellë ndryshim.
Opal, tashmë me kurorën e Miss World mbi kokë, pritet të angazhohet në një sërë aktivitetesh humanitare në mbarë botën gjatë mandatit të saj, duke përfaqësuar jo vetëm Tajlandën, por idealet e konkursit që prej dekadash synon të promovojë: bukurinë që frymëzon dhe ndihmon.
