Doktori Jetmir Gashi nga Suhareka, kirurg vaskular, humbi jetën mbrëmjen e sotme, pas një aksidenti të rëndë në fshatin Carralevë, rrugës për Prizren. 42-vjeçari suharekas u përplas me një autobus teksa ishte në lëvizje me veturë dhe fatkeqësisht pësoi plagë të cilave nuk iu mbijetoi.
Vdekja e tij ka tronditur familjen, të afërmit dhe të gjithë kolegët e tij, që punuan bashkë për shumë vite.
Shumë prej tyre kanë shprehur fjalë prekëse në rrjetin social Facebook, duke shkruar se vdekja e tij është një humbje e madhe edhe për komunitetin shëndetësor.
Ata e kanë përshkruar si një doktor të përkushtuar, me zemër të madhe dhe si një profesionist të jashtëzakonshëm.
“Me dhimbje të thellë dhe zemër të rënduar mora lajmin e ndarjes nga jeta të shokut tim të fëmijërisë dhe kolegut tim të nderuar, Dr. Jetmir Gashi. Një humbje e madhe jo vetëm për familjen e tij të dashur, por për të gjithë ata që patën fatin ta njohin dhe të punojnë me të.”
“Jetmiri ishte më shumë se një mjek i përkushtuar – ai ishte një njeri me zemër të madhe, një mik besnik dhe një profesionist i jashtëzakonshëm, i cili me duart e tij shpëtoi e ndihmoi shumë jetë. Kujtimet e fëmijërisë sonë, momentet e përbashkëta dhe rrugëtimi ynë profesional do të mbesin gjithmonë pjesë e imja.”
“Jetmiri një djalë i jashtëzakonshëm, punëtor i pashoq, shok i mirë sot iku në botën tjetër duke na lënë të shokuar e pa fjalë të gjithëve.”
“Humbja e tij na ka tronditur të gjithëve. Është e vështirë ta pranojmë se një shpirt kaq i mirë dhe një zemër kaq e madhe u shuan kaq papritur. Do të na mungojë buzëqeshja, dashamirësia dhe pasioni yt për profesionin dhe jetën.”
