Ky fenomen i rrallë qiellor, i njohur si “parada planetare”, nuk do të përsëritet deri në vitin 2040, sipas raportit të BBC-së të publikuar të martën.
Adhuruesit e astronomisë do të kenë mundësinë të shijojnë një spektakël të veçantë këtë javë, kur shtatë planetë – Marsi, Jupiteri, Urani, Venera, Neptuni, Merkuri dhe Saturni – do të jenë të dukshëm për një kohë të shkurtër në qiell gjatë orëve të mbrëmjes.
Ky fenomen i rrallë qiellor, i njohur si “parada planetare”, nuk do të përsëritet deri në vitin 2040, sipas raportit të BBC-së të publikuar të martën.
Mundësia më e mirë për të vëzhguar sa më shumë planetë do të jetë menjëherë pas perëndimit të diellit të martën, të mërkurën, të enjten dhe të premten.
Katër planetë – Merkuri, Venera, Jupiteri dhe Marsi – do të jenë të dukshëm me sy të lirë, ndërsa Saturni do të jetë më i vështirë për t’u dalluar, pasi do të jetë afër horizontit. Për të parë Uranin dhe Neptunin do të nevojitet teleskop.
Një qiell i pastër dhe një pamje e papenguar e horizontit do të ofrojnë mundësinë më të mirë për të parë të shtatë planetët, edhe pse për një kohë të shkurtër.
Astronomi Edward Bloomer nga Observatori Mbretëror i Greenwich-it tha: “Ka një mundësi të rrallë për të pasur shtatë planetë në një pozicion praktikisht të përshtatshëm për t’u vëzhguar.”
Ndërsa dielli perëndon, Saturni dhe Merkuri gjithashtu do të zbresin, duke e bërë veçanërisht të vështirë dallimin e tyre.
“Ju keni vetëm disa minuta pas perëndimit të diellit për t’i parë para se të zhduken nën horizont. Më pas, ende do të mund të shihni qartë Venerën, Jupiterin dhe Marsin për një kohë shumë më të gjatë”, shtoi Bloomer.
Planetët në sistemin tonë diellor rrotullohen rreth Diellit pothuajse në të njëjtën plan si Toka.
Meqenëse ata lëvizin me shpejtësi dhe distanca të ndryshme nga Dielli, ka momente kur duken të rreshtuar nga perspektiva e Tokës, duke krijuar një pamje vizuale mahnitëse – edhe pse në realitet mbeten të ndarë nga distanca të mëdha në hapësirë.
Venera dhe Jupiteri do të jenë më të lehtë për t’u dalluar për shkak të shkëlqimit të tyre, ndërsa Marsi do të spikatë me nuancën e tij të kuqërremtë.
“Uranin teknikisht mund ta shihni me sy të lirë, por do t’ju duhej shikim perfekt dhe kushte ideale,” vuri në dukje Bloomer.
Për t’i rritur shanset për të parë sa më shumë planetë, ai rekomandoi gjetjen e një vendi me ndotje minimale të dritës dhe një horizont të pastër.
“Nëse thjesht dilni nga kuzhina në kopshtin tuaj, do t’ju duhet pak kohë që sytë të përshtaten me nivelet e dritës. Jepini pak kohë syve tuaj, duhet rreth gjysmë ore për t’u përshtatur plotësisht,” tha Bloomer.
Edhe pse ky rreshtim planetar është një ngjarje e rrallë, ai inkurajoi njerëzit që vëzhgimi i yjeve të bëhet një zakon i përhershëm.
“Shikoni si ndryshojnë gjërat,” vërejti Bloomer, duke shtuar se vështrimi i qiellit të natës ofron “një mundësi për të dëshmuar mekanikën e sistemit diellor në veprim”.
