Pretendime tronditëse po dalin në dritë lidhur me të ashtuquajturin “Safari i snajperëve të Sarajevës”, një nga kapitujt më të errët të krimeve të luftës ndaj civilëve gjatë rrethimit të Sarajevës. Gazetari hulumtues kroat Domagoj Margetiq ka publikuar akuza të reja, duke ngritur alarmin se tre dëshmitarë të lidhur me këtë çështje kanë vdekur në rrethana të dyshimta.
Sipas Margetiqit, këto vdekje ndodhin në një moment kritik, kur hetimet ndërkombëtare përfshirë edhe prokurori në Itali po tentojnë të zbardhin pretendimet se civilë janë qëlluar për “argëtim”, në atë që përshkruhet si “safari njerëzor”.
Gazetari kroat ka përmendur edhe lidhje të supozuara të presidentit aktual të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me ngjarjet e asaj kohe, akuza të cilat Vuçiq i ka mohuar publikisht. Megjithatë, zhdukja e dëshmitarëve kyç po ngre dyshime serioze dhe pyetje të rënda:
A po tentohet të fshihet e vërteta?
Kush ka interes që ky kapitull të mos hapet kurrë?
Derisa autoritetet nuk kanë konfirmuar zyrtarisht eliminimin e dëshmitarëve, koha dhe rrethanat e vdekjeve po e thellojnë misterin, duke rritur presionin për një hetim të pavarur ndërkombëtar.
Kjo çështje po rikthen në vëmendje plagët e hapura të luftës dhe frikën se drejtësia për viktimat e Sarajevës ende po pengohet.
