Refuzohet statusi i invaliditetit për veteranin e UÇK-së, ndërsa u miratohet biznesmenëve

Para 1 vit

Një rast shqetësues ka ngritur debat mbi mënyrën se si po trajtohen ish-ushtarët e UÇK-së nga institucionet përgjegjëse. Ilmi Hysenaj nga Abria e Drenasit, një nga ushtarët e parë të UÇK-së në Drenicë, i cili ka kaluar tortura të rënda nga forcat serbe dhe është plagosur në betejë, është përballur me refuzimin e statusit të invaliditetit.

Sipas Esat Shalës, i cili ka bërë publike këtë çështje, Hysenaj është refuzuar nga komisioni përkatës, pavarësisht gjendjes së tij të rëndë shëndetësore dhe historisë së tij në luftë. Ndërkohë, në të njëjtën ditë, ky status iu dha një biznesmeni që nuk ka qenë fare në Kosovë gjatë luftës.

Ky rast ka ngritur shqetësime për mundësinë e keqpërdorimeve dhe favorizimeve në procesin e njohjes së statusit të invalidëve të luftës. Opinion publik po kërkon që institucionet të veprojnë dhe të sigurojnë një trajtim të drejtë për ata që kanë sakrifikuar për lirinë e vendit.

A do të ketë reagim nga autoritetet për këtë padrejtësi?