(Plotësuar, 16:00) Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se ish-sekretari i MINT, Irfan Lipovica është ftuar për intervistim në cilësinë e të pandehurit.
“Lidhur me çështjen për të cilën keni adresuar pyetje, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ju njofton se z.Irfan Lipovica është ftuar në cilësinë e të pandehurit, në kuadër të hetimeve lidhur me rastin ‘Rezervat shtetërore’, mirëpo i njëjti e ka shfrytëzuar të drejtën ligjore për të mos u deklaruar. Për veprimet e tjera lidhur me rastin, publiku do të njoftohet me kohë”, ka thënë për RTK-në, Arbnora Luta, zëdhënëse e Prokurorisë Speciale.
Përfundon intervistimi i Irfan Lipovicës në Prokurorinë Speciale
(Plotësuar, 15:05) Ka përfunduar intervistimi i ish-sekretarit të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Irfan Lipovica, në Prokurorinë Speciale.
As Lipovica dhe as avokati i tij nuk janë përgjigjur në pyetjen e gazetarëve se në çfarë cilësie është intervistuar nga prokuroria, por vetëm kanë thënë se bëhet fjalë për rastin e rezervave shtetërore.
“Sot jemi ftuar nga ana e Prokurorisë Speciale lidhur me rastin e rezervave shtetërore. Ky rast ende është në hetime dhe nuk kemi çfarë të shtojmë më shumë”, ka thënë Feim Alaj, avokat i Lipovicës.
Irfan Lipovica sërish në Prokurorinë Speciale
Irfan Lipovica, ish-sekretar më Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, është paraqitur sërish në Prokurorinë Speciale për intervistim.
Ai ishte paraqitur në Prokurori edhe para dy ditësh, derisa është një nga tre të dyshuarit në rastin e rezervave shtetërore, së bashku me afaristin Ridvan Muharremi dhe zyrtarin Hafiz Gara.
