Një kërcënim i ri po përhapet me shpejtësi në ujërat e Mesdheut: peshku “Lagocephalus sceleratus”, një specie jashtëzakonisht toksike dhe pushtuese, po zgjerohet drejt brigjeve të Italisë, Shqipërisë e Kroacisë. Origjina e tij është nga Oqeani Indian, por ka hyrë në Mesdhe përmes Kanalit të Suezit, përmes një fenomeni të njohur si “migrimi lessepsian”.
Kohët e fundit, ky peshk është parë në pjesën veriore të Detit Adriatik, në një përhapje më të gjerë se kurrë më parë. Ai tashmë përbën një rrezik serioz për ekosistemin detar dhe për shëndetin e njeriut.
Arsyet? Ky peshk përmban tetrodotoksinë – një neurotoksinë që është 100 herë më vdekjeprurëse se cianuri dhe për të cilën nuk ka antidot. Vetëm disa miligramë janë të mjaftueshme për të shkaktuar paralizë, ndalim të frymëmarrjes dhe vdekje.
