Peshkimi i deputetëve, rriten dyshimet se Kurti ka blerë deputetë të opozitës për të formuar qeverinë e re

Para 11 muaj

Gatishmëria e kryetarit të Nismës, Fatmir Limaj, për të bashkëpunuar me kryeministrin Albin Kurti në formimin e Qeverisë së re, ka çuar në një debat të ri. Që nga dje, janë shfaqur skenarë të ndryshëm për krijimin e institucioneve të reja.

Përveç mundësisë së një koalicioni LVV – Nisma, njohësit e rrethanave politike nuk e kanë përjashtuar as skenarin e kalimit në VV-së të disa deputetëve të partive opozitar. Ata janë shprehur të bindur se kryeministrit Kurti e ka filluar procesin e gjahut.

Madje, gazetari Vehbi Kajtazi ka bërë me dije se tashmë Kurti e ka siguruar një deputet të PDK-së.

Mbrëmë në emisionin “Rubikon”, ai ka thënë se kjo tashmë është punë e kryer.

Është çështje e kryer, të paktën deri tani. Nuk jam duke dashtë të përmendi emra derisa nuk ka lëvizje konkrete, unë e di tashmë të kryer që pritet t’i bashkohen partisë në pushtet. Prandaj, Z.Kurti thotë unë nuk dua koalicion, unë e bëjë Qeverinë vet. Nëpërmjet kontrabandimit, apo trafikimit të deputetëve. Z.Kurti, ditën që certifikohen rezultatet, mundet me i pasë 51 deputetë shqiptarë pa koalicion”, ka thënë Kajtazi.

Ai ka bërë me dije se një gjë e tillë është trafikim. I deputetëve.

Në fusha tjera kriminale quhet trafikim ta zëmë me qenie njerëzore, trafikim me emigrantë, ky është trafikim me deputetë. Jam i bindur se kurrë nuk ndodh në situata si kjo se që dikush nga opozita i bashkohet pushtetit pa pare, harrojeni këtë. Asnjëherë, të gjithë kanë marrë para, të gjithë kanë pasa interesa”, është shprehur Kajtazi.

Edhe analisti Ilir Mirena nuk e ka përjashtuar mundësinë që Albin Kurti të “peshkoi” deputetë nga opozita për të formuar Qeverinë e re.

Ai ka bërë me dije se Kurti do t`i përdor të gjitha kartat për të qëndruar në pushtet.

Në profilin e tij në “Facebook”, Mirena ka shkruar VV-ja është në “gjah” për deputetë të tillë.