Osmani viziton Gjakovën pas vërshimeve, situata drejt stabilizimit

Para 14 ditë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka vizituar Gjakovën pas vërshimeve të fundit, duke shprehur solidaritet me qytetarët e prekur dhe duke vlerësuar angazhimin e institucioneve për menaxhimin e situatës. Ajo tha se vërshimet janë ndalur dhe se institucionet do të jenë pranë familjeve të dëmtuara, përfshirë procesin e vlerësimit dhe kompensimit të dëmeve.

Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, njoftoi se situata është drejt stabilizimit, niveli i ujit ka rënë dhe nuk priten përkeqësime. Ai bëri të ditur se ka pasur evakuime të qytetarëve, të cilët janë strehuar në banesa sociale ose te familjarët, ndërsa komuna ka siguruar ushqim dhe veshmbathje. Ekipet komunale janë në terren për sanimin e dëmeve dhe pastrimin e zonave të prekura, ndërsa nga dita e nesërme nis vlerësimi zyrtar i dëmeve.