Oda e Avokatëve e Kosovës ka reaguar ndaj vonesave në trajtimin e rasteve të paraburgimit nga gjykatat, duke theksuar se Kodi i Procedurës Penale parasheh afate të qarta dhe të detyrueshme për këto çështje, pasi lidhen me kufizimin më të rëndë të lirisë personale para një vendimi përfundimtar.
Sipas OAK-së, në praktikë po shfaqen vonesa të mëdha në shqyrtimin dhe dorëzimin e vendimeve nga Gjykata e Apelit dhe Gjykata Supreme. Në disa raste, palët i marrin vendimet e Apelit vetëm pas disa javësh, madje ndodh që paraburgimi të vazhdohet nga gjykata e shkallës së parë pa e pranuar ende vendimin paraprak të Apelit.
OAK vlerëson se respektimi i afateve ligjore është garanci themelore për lirinë personale, procesin e rregullt ligjor dhe efektivitetin e mjeteve juridike. Në fund, ajo u ka bërë thirrje institucioneve gjyqësore që rastet e paraburgimit të trajtohen me prioritet absolut dhe afatet ligjore të zbatohen në mënyrë efektive.
