Miliarderi i njohur saudit, Sulejman Abdulaziz Al-Raxhhi, ka rrëfyer një histori prekëse nga fëmijëria e tij që tregon fuqinë e mirësisë dhe mirënjohjes.
“Kam qenë aq i varfër sa nuk kisha mundësi të paguaj një ekskursion shkollor që kushtonte vetëm një rial. Qava para familjes sime, por askush nuk kishte mundësi të më ndihmonte. Një ditë para ekskursionit, mësuesi na bëri një pyetje në klasë dhe unë u përgjigja saktë. Ai më shpërbleu me një rial dhe shokët më duartrokitën. Pa humbur kohë, vrapova dhe pagova pjesëmarrjen time. Gëzimi që ndjeva atë ditë më shoqëroi për vite me radhë,” kujton Al-Raxhhi.
Me kalimin e kohës, fati i tij ndryshoi. U pasurua dhe u bë një prej filantropëve më të mëdhenj në botën islame. Por kujtimi i mësuesit që i dha atë një rial nuk iu shua kurrë nga mendja.
“Nisa ta kërkoj, pa marrë parasysh sa më kushtonte. E gjeta në një gjendje të rënduar ekonomike, pa punë dhe në përgatitje për t’u shpërngulur. I thashë se i kisha borxh. Ai qeshi dhe më tha: ‘Mos vallë më ke kërkuar gjithë këtë kohë për të kthyer një rial?’ Unë i thashë: ‘Po.'”
Pasi e mori me veturë, ndaluan përpara një vile madhështore. Atje, Al-Raxhhi i dorëzoi “borxhin”: një vilë, një veturë luksoze, një rrogë të përjetshme dhe një vend pune për djalin e tij.
“Mësuesi u shtang. I thashë: ‘Gëzimi që ndjeva atë ditë kur më dhe atë një rial ishte më i madh se çdo pasuri që kam sot. Atë ndjesi nuk e kam harruar kurrë.'”
(Nga kujtimet e Sulejman Abdulaziz Al-Raxhhi) Përktheu: Mehas Alija
