Nga portierët te kapitenët, gjyqtari dhe hedhja e topit – IFAB miraton ndryshime të shumta të rregullave

Para 10 muaj

Bordi i Federatës Ndërkombëtare të Futbollit (IFAB) ka miratuar disa ndryshime në ligjet e lojës për sezonin 2025/26.

Një nga përditësimet më të mëdha ka të bëjë me mbajtjen e topit nga portierët për një kohë të gjatë.

Sipas ligjit të ri 12.2, nëse një portier e mban topin për më shumë se tetë sekonda, skuadrës kundërshtare do t’i jepet një goditje këndi në vend të një goditjeje të lirë indirekte.

IFAB gjithashtu ka prezantuar udhëzime të reja për Ligjin 3.10 në lidhje me kapitenët e ekipeve. Garat tani do të kenë mundësinë për të zbatuar një rregull që lejon vetëm kapitenin t’i afrohet gjyqtarit në situata specifike.

“Bashkëpunimi më i fortë midis kapitenëve dhe gjyqtarëve mund të ndihmojë në futjen e niveleve më të larta të drejtësisë dhe respektit të ndërsjellë”, ka shkruar IFAB

Ndryshime të mëtejshme përfshijnë një përditësim të Ligjit 8.2 për hedhjen e topit. Nëse topi është jashtë zonës së penalltisë kur loja ndalet, ai do t’i bjerë skuadrës që kishte ose do të kishte fituar posedimin.

Nëse gjyqtari nuk mund të përcaktojë posedimin e topit, topi do t’i shkojë ekipit të fundit që e ka prekur atë.