Liderët e monarkive arabe kërkojnë diplomaci, jo luftë, ndërsa frika nga hakmarrja iraniane ndaj bazave amerikane në tokat e tyre po rritet.
Ofensiva agresive e Izraelit ndaj Iranit ka shkaktuar shqetësim dhe zemërim në kryeqytetet e monarkive të Gjirit Persik. Për herë të parë në dekada, këto vende – të njohura për qëndrime të ashpra ndaj Teheranit – tani e shohin Izraelin si burimin kryesor të destabilitetit në Lindjen e Mesme.
Sipas raportimeve nga Le Monde, elitat politike në Abu Dhabi, Riad e gjetkë janë në alarm për shkak të rrezikut që bazat amerikane në territorin e tyre të bëhen objektiv i sulmeve iraniane. Teherani ka paralajmëruar se mund të mbyllë edhe Ngushticën e Hormuzit – rrugën jetike për eksportin global të naftës – nëse tensionet përshkallëzohen.
Frikë nga një luftë e përgjithshme
Mbrëmjen e së dielës, më 22 qershor, vendet e Gjirit dolën me një thirrje të përbashkët për ulje të menjëhershme të tensioneve dhe zgjidhje diplomatike të çështjes bërthamore të Iranit. Sipas burimeve, deri në momentin e sulmeve ajrore amerikane ndaj objektivave iraniane, liderët e rajonit po përpiqeshin të bindnin presidentin Donald Trump të mos përdorte forcën ushtarake.
“De-përshkallëzimi është urgjent. Ne ende besojmë se ekziston një rrugë për rikthim në negociata,” deklaroi Anwar Gargash, këshilltar diplomatik i presidentit të Emirateve, Mohammed bin Zayed, përballë gazetarëve ndërkombëtarë.
Rijadi: Jo përshkallëzimit, jo ndryshimit të regjimit
Ndërsa në Uashington dhe Tel Aviv flitet gjithnjë e më hapur për ndryshim regjimi në Iran, Arabia Saudite distancohet. “Rijadi nuk mbështet as përshkallëzimin e situatës, as ndonjë ndryshim regjimi,” theksoi analisti saudit Ali Shihabi, duke nënvizuar se rruga diplomatike është gjithnjë më e vështirë – por ende e mundur.
