Nënshkruhen memorandumet me federatat sportive për vitin 2025

Para 10 muaj

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka nënshkruar memorandumet e para të këtij viti me federatat sportive, duke hapur rrugën për përfitimet financiare të tyre për vitin 2025, ka njoftuar kjo ministri.

 

Federatat e Hendbollit, Karatesë, Pingpongut, Notit dhe Triathlonit janë të parat që kanë përfunduar me sukses procesin e harmonizimit të akteve normative me Ligjin e ri të Sportit, duke i plotësuar kushtet për financim.

“Nënshkruhen memorandumet me federatat sportive Pas përmbylljes së procesit të kategorizimit, janë nënshkruar memorandumet e para të këtij viti me federatat sportive, për zhvillimin e aktiviteteve të tyre vjetore përgjatë vitit 2025. Memorandumet sot janë nënshkruar me Federatën e Hendbollit, Karatesë, Pingpongut, Notit dhe atë të Triathlonit, të cilat i kanë kryer me sukses obligimet e tyre për harmonizimin e akteve normative në përputhje me Ligjin e ri të Sportit, dhe me ç’rast u hapet rruga e përfitimit financiar përmes këtyre memorandumeve. Zëvendësministrja Daulina Osmani me këtë rast i njoftoi federatat prezente që sivjet është paraparë që çdo federatë ta ketë për obligim që së paku 30% të shumës totale të përfitimit t’ia dedikojnë aktiviteteve sportive për vajza dhe gra, me qëllim të zhvillimit dhe fuqizimit të mëtejmë të sportit femëror në vend”, ka njoftuar MKRS. “Buxheti vjetor i federatave është përcaktuar përmes shumëzimit të pikës nga vlerësimi në kategorizim dhe vlerës së pikës të përcaktuar nga Ministri”.