Bota e artit është tronditur nga lajmi i ndarjes nga jeta të aktores dhe modeles braziliane për fëmijë, Millena Brandao, në moshën vetëm 11-vjeçare.
Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, Millena ndërroi jetë më 2 maj në Spitalin e Përgjithshëm Grajaú në São Paulo, Brazil, pas disa arresteve kardiake. Familja e saj bëri të ditur lajmin e dhimbshëm për ndjekësit në Instagram, ku Millena kishte një ndjekje të madhe me mbi 196 mijë ndjekës.
Nëna e saj, Thays Brandao, rrëfeu për mediat se gjithçka nisi më 24 prill, kur vajza filloi të ndiente dhimbje koke, dhimbje në këmbë, përgjumje dhe humbje oreksi. Fillimisht, mjekët dyshuan për ethe dengue, por testet zbuluan më vonë një tumor në tru.
Më 29 prill, pas një episodi përgjumjeje dhe humbjeje ndjenjash në banjo, Millena u dërgua me urgjencë në spital. Ajo përjetoi disa arreste kardiake në ditët që pasuan, ndërsa numri i saktë i tyre mbetet ende i paqartë – raportet flasin për 13 deri në 21 raste.
Millena Brandao ishte e njohur për rolet e saj në telenovelën “Fëmijëria e Romeos dhe Zhuljetës” dhe në serialin e Netflix “Sintonia”. E dashur për publikun dhe e njohur për buzëqeshjen e saj të ndritshme, ajo la pas një boshllëk të madh në zemrat e mijëra fansave.
Në një postim prekës, nëna e saj shkroi:
“Kujtimet që kaluam së bashku do të mbeten përgjithmonë në kujtesën time… Ti ishe drita në jetën tonë dhe e di që nga atje lart do të vazhdosh të na ndriçosh jetën.”
Ngushëllime të sinqerta familjes, miqve dhe të gjithë atyre që e ndoqën dhe e dashuruan Millenën.
