Naum Veqilharxhi – njeriu që i dha gjuhës shqipe alfabetin dhe kombit vetëdijen

Para 6 muaj

Naum Veqilharxhi (1767–1846) konsiderohet ideologu i parë i Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe një nga mendimtarët më të rëndësishëm iluministë të shekullit XIX. I lindur në Vithkuq të Korçës, ai u shpërngul me familjen në Rumani për shkak të trysnive osmane dhe atje u bë një nga udhëheqësit e komunitetit shqiptar.

Veqilharxhi është autori i abetare së parë shqipe (1844), të shkruar me një alfabet origjinal prej 33 shkronjash, rezultat i një pune 20-vjeçare. Ai e ribotoi këtë vepër më 1845, duke e shoqëruar me një parathënie për rininë shqiptare. Përmes abëtares dhe shkrimeve të tij, ai synoi zgjimin e ndërgjegjes kombëtare dhe ngritjen e arsimit shqip në një kohë kur gjuha shqipe nuk kishte standard dhe përdorej pak në shkrim.

Në tekstet e tij ideologjike – Parathënia, Qarkorja (Enciklika) dhe letra drejtuar nipit Jani Cali – Veqilharxhi argumenton se prapambetja e shqiptarëve vinte nga mungesa e arsimit dhe e gjuhës së shkruar. Ai kërkonte bashkim kombëtar përtej feve dhe krahinave, ngritjen e shkollave shqipe dhe ndërtimin e një kulture kombëtare moderne. Sipas tij, pa çlirim kulturor nuk mund të arrihej çlirimi politik.

Veqilharxhi kritikoi çdo përpjekje për të mohuar identitetin shqiptar, duke e konsideruar gjuhën themelin e kombit. Ai kishte besim në aftësitë e popullit shqiptar dhe shprehej se kombet ngrihen gradualisht, ashtu siç do të ngrihej edhe kombi shqiptar.

Kontributi i tij ndikoi drejtpërdrejt në formimin ideologjik të Rilindjes Kombëtare. Veqilharxhi u helmua në Stamboll më 1846, pikërisht vitin kur lindi Naim Frashëri. Vepra e tij mbetet gur themeli i arsimit dhe vetëdijes kombëtare shqiptare, ndërsa shtëpia e tij në Braila sot shërben si muze në nder të trashëgimisë së tij.