Murati: Kufiri i pagesave me para të gatshme mes bizneseve ulet në 300 euro

Para 1 muaj

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka bërë të ditur se Kosova ka ulur nga 500 në 300 euro kufirin e pagesave me para të gatshme ndërmjet bizneseve, me synim parandalimin e financimit të paligjshëm dhe rritjen e gjurmueshmërisë së transaksioneve.

Murati i bëri këto deklarata në aktivitetin e organizuar nga Ministria e Financave në kuadër të Procesit të Berlinit, me temën “Beyond Compliance – Ndërtimi i ekonomive të qëndrueshme përmes integritetit financiar”.

Ai tha se pagesat me para të gatshme mund të jenë të vështira për t’u gjurmuar dhe të përdoren për financim të paligjshëm.

Sipas Muratit, për transaksionet ndërmjet bizneseve dhe konsumatorëve, kufiri i pagesave me para të gatshme është 2.000 euro, ndërsa pagesat mbi këtë shumë duhet të realizohen përmes transaksioneve të gjurmueshme në institucione financiare të licencuara në Kosovë.

Murati përmendi edhe zhvillimet në fushën e rregullimit të operatorëve të këmbimit që përdorin kriptovaluta, duke thënë se gjurmueshmëria dhe transparenca financiare ndihmojnë konkurrencën e ndershme dhe luftimin e ekonomisë së paligjshme.

Në aktivitet, ambasadori i Malit të Zi në Kosovë, Bernard Çobaj, dhe zëvendësambasadorja e Gjermanisë, Silke Bellmann, theksuan rëndësinë e bashkëpunimit rajonal, transparencës dhe shkëmbimit të informacionit për luftimin e pastrimit të parave, korrupsionit dhe flukseve të paligjshme financiare.