Mblidhen serbët në Graçanicë: Kundërshtojnë arrestimet e djeshme

Para 26 ditë

Shtetasit e Kosovës të nacionalitetit serb janë mbledhur në Graçanicë për të kundërshtuar arrestimet e së martës.

Prokuroria Themelore e Prishtinës në bashkëpunim me Policinë e Kosovës kanë arrestuar pesë persona të nacionalitetit serb, por shtetas të Kosovës, të cilët dyshohen për kryerjen e veprës penale “Cenimi i përcaktimit të lirë të votuesve”.

Prokuroria njoftoi se janë siguruar deklarata dhe prova të mjaftueshme që dyshohet se i lidhin të ndaluarit me veprime të kundërligjshme që cenojnë procesin zgjedhor.

Nga ana tjetër, mbështetësit e Nenad Rashiqit, kanë deklaruar për Klan Kosova se është gabim mbledhja e Listës Serbe dhe protestueseve të saj.

Sipas tyre, në vend që Lista Serbe të mbështesë ata që mbetën pa punë, të njëjtit theksojnë se ky subjekt politik po bllokon institucionin e shëndetësisë.

Kujtojmë se në arrestimet e djeshme bënte pjesë edhe drejtoresha e shtëpisë së shëndetit në Graçanicë.