Mali i Zi arreston pesë persona të dyshuar për lidhje me rrjetin rus “Rybar”

Para 1 muaj

Policia e Malit të Zi, në bashkëpunim me Agjencinë e Sigurisë Kombëtare (ANB), ka arrestuar pesë persona në një operacion kundër individëve të dyshuar për lidhje me rrjetin rus të informacionit “Rybar”.

Sipas mediave malazeze, arrestimet u kryen në Risan. Mes të arrestuarve janë Mihail dhe Valeria Zvinchuk, të cilët raportohen si figura kyçe të rrjetit, si dhe tre persona të tjerë të dyshuar si bashkëpunëtorë të tyre.

Gazeta malazeze “Pobjeda”, duke iu referuar burimeve nga sektori i sigurisë, raportoi se Mihail Zvinchuk dyshohet të ketë lidhje me inteligjencën ushtarake ruse GRU dhe operacionet hibride. Këto pretendime nuk janë verifikuar në mënyrë të pavarur.

Rrjeti “Rybar” u themelua në vitin 2018 dhe fitoi vëmendje ndërkombëtare gjatë luftës së Rusisë kundër Ukrainës. Ai njihet për analizat ushtarake dhe aktivitetin në kanalet e komunikimit, ndërsa është lidhur nga institucione perëndimore me përhapjen e narrativave pro-ruse dhe operacionet e ndikimit përmes informacionit.

Deri më tani, autoritetet malazeze nuk kanë publikuar detaje të mëtejshme për arrestimet apo veprat penale për të cilat dyshohet se janë përfshirë të arrestuarit.