Luz Gómez: “Netanyahu ka nevojë për luftën për të mbijetuar politikisht”

Para 1 vit

SHBA po gabon – Netanyahu ka nevojë për luftën për të mbijetuar politikisht

“Bota sot ndodhet buzë greminës, sepse Netanyahu ka nevojë për greminën për të mbijetuar politikisht.”

Kështu e nis analizën e saj profesorja spanjolle e studimeve arabe, Luz Gómez, në një artikull kritik ndaj zhvillimeve të fundit në Lindjen e Mesme. Sipas saj, përkrahja e verbër e Shteteve të Bashkuara ndaj ofensivës izraelite është jo vetëm e gabuar, por edhe e rrezikshme për stabilitetin global.

Gómez shkruan se Netanyahu gjithmonë ka dëshiruar një luftë me Iranin – dhe tani më në fund e ka. Një luftë në terma apokaliptikë, të cilët lidhen me gjuhën biblike që ai përdor rregullisht për të mobilizuar opinionin publik izraelit.

Ajo thekson se lufta nuk është më një çështje sigurie, por një strategji personale për mbijetesë politike, në një kohë kur Netanyahu është i rrethuar nga akuza penale dhe presion i madh politik brenda dhe jashtë vendit.

“Një luftë i jep atij më shumë kohë në pushtet,” shkruan ajo, duke theksuar se retorika e frikës dhe tensionet e përshkallëzuara shërbejnë si strehë nga përgjegjësitë ligjore dhe politike.

Luz Gómez paralajmëron se përshkallëzimi aktual nuk është vetëm çështje izraelito-iraniane, por rrezikon të përhapet në të gjithë Lindjen e Mesme – me pasoja të paparashikueshme për botën.