Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidrodrini” ka njoftuar se ka zgjeruar shërbimet e saj online, duke ofruar tashmë mundësinë e pagesës së faturave të ujit edhe përmes pajisjeve mobile me sistemet operative Android dhe iOS.
“Në kuadër të avancimeve teknologjike, me përkushtimin dhe mbështetjen nga Kryeshefi Ekzekutiv dhe Menaxheri i TI-së, si dhe falë punës së palodhshme të kompanisë ‘Informatika’, KRU ‘Hidrodrini’ ka zgjeruar shërbimin për t’i ofruar konsumatorëve mundësinë e pagesës online edhe në pajisjet mobile”, thuhet në njoftimin e Zyrës për Media të kompanisë.
Krahas platformave ekzistuese, si faqja zyrtare e KRU “Hidrodrini” dhe platforma e-Kosova, tashmë konsumatorët mund të shkarkojnë aplikacionin ‘eHidrodrini’, i cili është i disponueshëm në:
Google Play Store për pajisjet Android
App Store për pajisjet iOS
Kjo nismë synon të lehtësojë qasjen dhe pagesën e shërbimeve, duke u përshtatur me nevojat dhe kërkesat e kohës moderne.
