Kallas injoron Kosovën dhe Serbinë – a mund të jetë shkak mungesa e qeverive në këto dy vende?

Para 11 muaj

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas do të zhvillojë një vizitë në rajon nga 7 prilli e deri më 9 prill, por jo në Kosovë dhe në Serbi, shkruan Gazeta Sinjali.

Siç ka raportuar media serbe, “Danas”, ky anashkalim i të dy shteteve mund lidhet me situatën politike dhe mungesën e qeverive.

“Danas” raporton se Kaja Kallas po pret krijimin e qeverive në Beograd, për t’u rikthyer më pas me një vizitë tjetër në Kosovë e Serbi, shtete këto që janë edhe në procesin e negociatave që ndërmjetësohet nga Brukseli.

Derisa, sipas agjendës zyrtare të publikuar në faqen e BE-së, në Mal të Zi, Kallas do të takohet me presidentin Jakov Milatoviq dhe kryeministrin Milojko Spajiq, si dhe do të marrë pjesë në një rishikim të pajisjeve të financuara nga Fondi Evropian i Paqes me ministrin e Mbrojtjes të këtij vendi dhe do të takohet me organizata të shoqërisë civile.

Pastaj, në Shqipëri, Kallas do të takohet me presidentin Bajram Begaj dhe kryeministrin Edi Rama, po ashtu me ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani dhe ministrin e Mbrojtjes, Pirro Vengu.
Ajo do të hapë bashkërisht Dialogun e parë BE-Shqipëri për Sigurinë dhe Mbrojtjen me ministrat Hasani dhe Vengu.

 

Po ashtu, ajo do të marrë pjesë në nënshkrimin e marrëveshjeve të grantit dhe kredisë së Bankës Evropiane të Investimeve për zhvillimin e hekurudhës Durrës-Rrogozhinë.

Përfaqësuesja e Lartë Kallas do t’u drejtohet edhe studentëve të universitetit dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile.

Në Bosnjë dhe Hercegovinë, kryediplomatja e Bashkimit Evropian do të vizitojë trupat e EUFOR Althea dhe do të takohet me anëtarët e Presidencës së Bosnje-Hercegovinës. Ajo do të takohet edhe me kryetaren e Këshillit të Ministrave Borjana Kristo dhe ministrin e Jashtëm Elmedin Konakoviq.

Një takim i përbashkët për shtyp me Presidencën është planifikuar për më 8 prill.