Hetimet për vrasjen e influencueses Valeria Márquez vazhdojnë, autoritetet në pritje të informacioneve nga SHBA

Para 1 vit

Prokuroria e shtetit Jalisco në Meksikë ka deklaruar se nuk posedon asnjë të dhënë që e lidh Ricardo Ruiz Velasco, i njohur si “El Doble R”, me vrasjen e influencueses Valeria Márquez, e cila u qëllua për vdekje më 14 maj në qytetin Zapopan, ndërsa po bënte një transmetim të drejtpërdrejtë nga estetika e saj.

Kjo deklaratë vjen pas një raporti të Departamentit të Thesarit të SHBA, i publikuar më 18 qershor, ku Ruiz Velasco përmendet si i dyshuari kryesor për vrasjen. Zyrtarët amerikanë e kanë përshkruar atë si një nga drejtuesit kryesorë të Kartelit Jalisco Nueva Generación (CJNG) dhe i afërt me liderin e kartelit, Nemesio Oseguera, i njohur si El Mencho.

Prokurori shtetëror i Jalisco-s, Salvador González de los Santos, tha se janë në pritje të informacionit nga ambasada amerikane, për të parë nëse ekzistojnë të dhëna që mund të ndihmojnë hetimet lokale. Deri më tani, autoritetet meksikane nuk kanë gjetur ndonjë lidhje direkte mes viktimës dhe Ruiz Velascos.

Ndërkohë, guvernatori i Jalisco-s, Pablo Lemus, bëri të ditur se ekzistojnë tre pista hetimore, ndërsa mbi 30 persona nga rrethi i Valeria Márquez janë intervistuar. Megjithatë, ende nuk ka të arrestuar dhe as urdhër-arreste të lëshuara në lidhje me rastin.

Burimi:El PAIS