Auditimi zbulon pagesa të padrejta për shtesat policore, 65 zyrtarë të suspenduar përfitojnë 55,550 euro pa punuar

Para 11 muaj

Prishtinë, 25 qershor 2025 – Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka publikuar raportin financiar për Ministrinë e Punëve të Brendshme për vitin 2024, duke nxjerrë në pah pagesa të paqena të shtesave për kushte specifike pune në Policinë e Kosovës.

Sipas raportit, 65 zyrtarë policorë të suspenduar kanë marrë shtesa për punë specifike, me vlerë totale prej 55,550 eurosh, edhe pse nuk kanë qenë aktivë në detyrë dhe nuk kanë përballuar rrezikshmërinë e punës në terren.

“Përfitues të kësaj shtese ishin edhe stafi policor i Kosovës. Ne identifikuam se shtesën e plotë për kushte specifike të punës ishin duke e marrë edhe 65 zyrtarë policor të suspenduar, bazuar në listën e pagave të ofruara nga PK, edhe pse ata nuk ishin duke e ushtruar funksionin dhe rrjedhimisht nuk kishin ndonjë rrezikshmëri,” thuhet në raport.

Zyra Kombëtare e Auditimit thekson se kjo situatë ka ndodhur për shkak të mungesës së listave të përditësuara me emrat e personave të kualifikuar për këto shtesa dhe se gjatë vitit 2024 nuk janë ndërmarrë masa konkrete për të shqyrtuar këtë çështje.

Pagesat e padrejta ndikojnë negativisht në buxhetin e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe mund të demotivojnë policët që punojnë në terren dhe përballen me rrezikshmërinë e detyrës së tyre.

Raporti rekomandon që Ministri dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë të sigurojnë që këto shtesa t’u jepen vetëm atyre që përballen drejtpërdrejt me rreziqe në kryerjen e detyrave, në përputhje me rregulloren QRK nr. 08/2023, e cila përcakton kriteret për përfitimin e shtesës për kushte specifike të punës.