Aktakuzë ndaj zyrtarit të Doganës: Lejoi kalim pa kontroll dhe i shkaktoi buxhetit mbi 3,400 euro dëm

Para 26 ditë

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj zyrtarit të Doganës së Kosovës, I.K., nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës zyrtare. Sipas aktakuzës, më 16 korrik në pikën kufitare të Vërmicës, ai ka lejuar kalimin pa kontroll të një automjeti komercial, të cilin e ka regjistruar rrejshëm si të zbrazët.

Automjeti u ndalua më pas nga njësia antikontrabandë dhe u gjet i ngarkuar me mallra komerciale në vlerë mbi 11 mijë euro. Si pasojë e këtij veprimi, buxheti i Kosovës është dëmtuar për mbi 3,400 euro. Prokuroria ka kërkuar që i pandehuri të shpallet fajtor dhe, përveç dënimit kryesor, t’i ndalohet edhe ushtrimi i funksioneve në administratën publike.